Reformat 2026-2028: Rritje ekonomike 4 për qind, turizmi dhe ndërtimi shtylla kryesore
Programi i Reformave Ekonomike 2026–2028 parashikon rritje ekonomike mesatare 4 për qind, të nxitur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi, ndërsa bujqësia pritet të mos ketë kontribut pozitiv.
Rritje ekonomike e qëndrueshme, më shumë investime, ulje graduale e borxhit publik, eliminim i përjashtimeve tatimore dhe reforma në sistemin e pensioneve janë pikat kryesore të Programit të Reformave Ekonomike për periudhën 2026–2028, të hartuar nga Ministria e Financave.
Sipas dokumentit, ekonomia shqiptare pritet të rritet me një mesatare prej 4 për qind në vit gjatë trevjeçarit të ardhshëm, e nxitur nga rritja e konsumit privat dhe investimeve, veçanërisht në infrastrukturë dhe sektorë strategjikë si turizmi dhe ndërtimi.
Konsumi dhe investimet, motorët e rritjes
Në program thuhet se për periudhën afatmesme 2026–2028, konsumi final pritet të rritet në terma realë me një mesatare prej rreth 2.5 për qind në vit, duke kontribuar mesatarisht me 2.1 pikë përqindje në vit në rritjen e përgjithshme ekonomike.
Paralelisht, investimet projektohen të rriten me një normë mesatare reale prej 6.6 për qind në vit, duke kontribuar mesatarisht me 1.7 pikë përqindje në vit në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Turizmi dhe ndërtimi, kontributi kryesor
Pritshmëritë e Ministrisë së Financave janë që sektori i turizmit të shënojë rritje mesatare prej 5.4 për qind, duke dhënë një kontribut prej 2.7 për qind në rritjen ekonomike. Ndërtimi parashikohet të rritet me 3.2 për qind, me një kontribut prej 0.4 për qind në ekonomi.
Industria pritet të rritet me 2.7 për qind, duke dhënë një ndikim pozitiv prej 0.3 për qind në rritjen ekonomike.
Në të kundërt, bujqësia vlerësohet të ketë një rritje minimale prej vetëm 0.2 për qind në vit, pa dhënë ndikim të ndjeshëm në ecurinë ekonomike të vendit, duke konfirmuar vijimin e problemeve strukturore në këtë sektor.
Punësimi, pensionet dhe borxhi publik
Sa i përket tregut të punës, programi parashikon një rritje shumë të ngadaltë të punësimit, vetëm 0.1 për qind në vit. Për sistemin e pensioneve, dokumenti parashikon vijimin e reformës përmes skemave të bonuseve mujore, pa ndryshime strukturore të thella.
Në lidhje me borxhin publik, Ministria e Financave parashikon një ulje graduale me rreth 3.1 pikë përqindje gjatë trevjeçarit. Borxhi publik, nga 54.1 për qind e PBB-së që projektohet për vitin 2025, pritet të ulet në rreth 51 për qind në fund të vitit 2028.
Në një perspektivë afatgjatë, brenda një periudhe 10-vjeçare, qeveria synon që borxhi publik të arrijë nivelin 40 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.